Palestinezët fillojnë që të kthehen në shtëpitë e tyre në veri të Gazës - NACIONALE

Palestinezët fillojnë që të kthehen në shtëpitë e tyre në veri të Gazës

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Palestinezët kanë filluar që të kthehen në shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Gazës pas nënshkrimit të fazës së parë të marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit.

Ndërkohë, forcat izraelite janë tërhequr në vijat për të cilat është arritur marrëveshje në planin e paraqitur nga presidenti amerikan, Donald Trump, tha ushtria, por ato do të vazhdojnë që të “largojnë cilindo rrezik të menjëhershëm”, raporton televizioni BBC.

Hamasi ka kohë deri të hënën në orën 12:00 sipas kohës lokale që t’i lirojë të gjitha pengjet izraelite, ndërsa Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë në këmbim.

Qeveria izraelite mbrëmë e miratoi fazën e parë të paktit për armëpushim dhe lirim të pengjeve.

Për më tepër, sipas pikave të marrëveshjes, kamionët me ndihma pritet të shtohen për të dërguar ndihma për popullsinë 2-milionëshe të Gazës, shumica e së cilës është zhvendosur gjatë luftës.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se presidenti amerikan e meritonte Çmimin Nobel për Paqe, të cilin në fakt e fitoi liderja opozitare venezuelase, Maria Corina Machado.

Netanyahu ishte në mesin e disa krerëve botërorë që e kishin nominuar Trumpin për këtë çmim prestigjioz. Sidoqoftë, nominimet u mbyllën në janar, në muajin kur Trumpi u inaugurua në mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Lajme të ngjashme