Paketos Celebration & Recognition Event – Ura Lidhëse e Tregtisë mes Kosovës dhe SHBA-së
Në një mbrëmje festive të mbajtur në Hotel Emerald, kompania kosovare Paketos kremtoi sukseset e saj si një nga platformat më të rëndësishme që lidh tregun e Kosovës me atë amerikan.
Ngjarja, e ndjekur nga përfaqësues të biznesit, institucioneve dhe trupit diplomatik, u shënua nga dy fjalime kryesore: themeluesi dhe CEO i Paketos, Blin Zeqiri, dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Të dy theksuan rolin e kompanisë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë–SHBA dhe në zgjerimin e mundësive tregtare për qytetarët.
Që nga viti 2022, kapaciteti mujor i dërgesave të Paketos është rritur me mbi 700 për qind, duke e bërë të mundur që nga tetori 2025 dorëzimin e porosive nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë brenda vetëm një jave.
Brenda më pak se tre vjetësh, kompania ka regjistruar dhjetëra mijëra klientë dhe ka realizuar mijëra dërgesa, me një nivel kënaqësie që tejkalon 95 për qind. Në të njëjtën kohë, heqja e taksës 10 për qind për produktet amerikane dhe hapja e shërbimit Apple Pay për Kosovën kanë thjeshtuar ndjeshëm pagesat ndërkombëtare dhe qasjen në tregjet globale.
Blin Zeqiri theksoi se Paketos ka bërë të mundur qasjen e qytetarëve të Kosovës në tregun e mbi 1 miliard produkteve amerikane, duke e shndërruar vendin në një portë digjitale drejt SHBA-së.
Ai nënvizoi se ky sukses u arrit falë besimit të klientëve dhe punës së palodhshme të ekipit të Paketos, duke konfirmuar se kompania do të vazhdojë të zgjerojë kapacitetet dhe shërbimet e saj.
Zeqiri mbylli fjalën me një vizion të qartë: “Paketos do të vazhdojë të jetë ura që lidh Kosovën me mundësitë e pafundme që ofron tregu i Shteteve të Bashkuara.”
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e përgëzoi Paketos si shembull të inovacionit dhe ndërmarrësisë vendore që e çon vendin drejt tregjeve ndërkombëtare.
Ajo kujtoi se dikur porositë nga Amazon ishin të pamundura, ndërsa sot janë pjesë e përditshmërisë për familjet kosovare.
Ngjarja shënoi jo vetëm suksesin e Paketos, por edhe një hap tjetër drejt integrimit ekonomik dhe digjital të Kosovës, duke forcuar miqësinë e veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe duke e bërë Kosovën pjesë aktive të tregtisë globale.