Pajaziti i PDK-së: Kurti nuk është transparent, hasmëria me Serbinë duhet të mbyllet
Duke mos dashur të komentoj rreth dokumenteve të përfolura për një ujdi përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, zyrtari i PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se është me rëndësi që “hasmëria” me Serbinë të mbyllet.
Ish-ministri i brendshëm ka thënë se është e rëndësishme që Kurti të jetë transparentë në procesin e bisedimeve, por sipas tij kjo transparencë mungon.
“Nuk duhet të spekulojmë shumë me dokumente që sillen vërdallë, pa marrë parasysh nga vijnë. Më e rëndësishmja është që kryeministri ynë të na njoftojë për gjithçka që lidhet me dialogun. Nuk kemi transparencë për këtë çështje. Aspak nuk ka pasur transparencë”, ka deklaruar Pajaziti në T7.
Sipas ish-deputetit të PDK-së, kryeministri duhet ta marr serizisht dialogun dhe të bindet që marrëveshja duhet të mbyllet.
“Është mirë që më nuk thotë se e ka prioritet të 5, 6 apo 7. Ai ka qenë kundër dialogut, mandej ka pasur disa formulime si, po di dialogojë me serbët për çështje të brendshme, por asnjëherë nuk e ka thënë qartë që, po, do të përfundohet ky proces. Mbyllja e hasmërisë me Serbinë, është e rëndësishme”, ka deklaruar Pajaziti.
Ndonëse nuk i zë besë, sipas tij Kurti ka dhënë shenja pozitive me hyrjen në dialog dhe duke e takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk jam njëri nga ata që i besoj Albin Kurtit, por kemi besuar të gjithë që të paktën do të sillet normalisht në cështjet që janë serioze dhe do të jetë i kujdesshëm në këtë proces. Nuk është që s’ka shenja se nga mohimi i plotë, është në dialog, është takuar me Vuçiqin”, ka thënë ai.
