Pacolli kundër termeve “Prindi 1 dhe 2”: Minon rëndësinë e rolit të nënës dhe babait
Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së, ka reaguar në lidhje me debatin për termet “Prindi 1 dhe Prindi 2”, debat që u ndez pasi shkolla “Elena Gjika” iu referuar në këtë mënyrë nënës dhe babait në një dokument të brendshëm të shkollës.
Sipas Pacollit, një gjë e tillë ka ngritur “shqetësime serioze për erozionin e vlerave tradicionale familjare”.
Tutje, Pacolli ka vlerësuar se një gjë e tillë minon rëndësinë e rolit të nënës dhe babait.
“Pse të mos përdoren "Nëna" dhe "Babai", fjalë që përfaqësojnë rolet më themelore dhe kujdestare në jetën e një fëmije? Këto terma pasqyrojnë lidhjen natyrore dhe thelbësore që formon thelbin e strukturës familjare. Zëvendësimi i tyre me etiketa neutrale dhe paemocion, minon rëndësinë e këtyre roleve dhe përfaqëson një largim nga vlerat që kanë formësuar dhe mbajtur gjallë kombin tonë për breza të tërë” – ka shkruar Pacolli.