Pacolli dhe Kastrati bëhen bashkë për t’i bërë zgjidhje këngëtares Parashqevi Simakut
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se së bashku me Halil Kastratin nga Shoqata Jetimat e Ballkanit, kanë marrë informacione nga ish-konsulli i Kosovës në Kanada, Donat Syla për gjendjen e këngëtares, Parashqevi Simaku.
Sipas tyre gjendja e këngëtares së famshme shqiptare është e rëndë.
“Gjatë një takimi që patëm sot me humanistin Halil Kastrati dhe ish-konsullin e Kosovës në Kanada Donat Syla, ky i fundit na informoi në detaje për gjendjen e rëndë të këngëtares së famshme shqiptare, Parashqevi Simaku.” – ka njoftuar Pacolli.
Ai tutje ka thënë se kanë marrë përsiper për të vënë në dispozicion një banesë dhe për t’ia siguruar transportin nga ShBA-ja në Kosovë ose Shqipëri.
“Ne, Shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe Fondacioni “Behgjet Pacolli,” shprehim gatishmërinë për të vënë në dispozicion një banesë dhe për të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për transferimin e saj në Kosovë ose Shqipëri, duke i garantuar asaj punësim adekuat ose një pension mujor. Shoqëria jonë duhet të përkujdeset për personalitetet që kanë dhënë shumë për kombin!” – ka përfunduar Pacolli.