OVL-UÇK i reagon Mickoskit: Mos krijoni panik, protesta në Shkup është për drejtësi dhe jo për kaos
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, duke i cilësuar paralajmërimet e tij për "shtabe krize" si tentativa për të krijuar tensione artificiale.
Në një njoftim për media, veteranët kanë sqaruar natyrën e tubimit të 13 dhjetorit në Shkup: mbrojtja e dinjitetit të luftës dhe kundërshtimi i proceseve gjyqësore në Hagë dhe protestë paqësore, qytetare dhe pa ngjyrim partiak.
Reagimi:
Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së njoftojnë opinionin publik se protesta e paralajmëruar më 13 dhjetor në Shkup është protestë paqësore, qytetare dhe gjithëpërfshirëse, e organizuar në mbrojtje të dinjitetit tonë dhe në kundërshtim të padrejtësive në Hagë.
Deklaratat e Kryeministrit Mickoski për formimin e një “shtabi krize” vetëm sa krijojnë tension të panevojshëm dhe përpiqen ta paraqesin një tubim demokratik si rrezik.
Ne sigurojmë qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit se protesta është e organizuar në koordinim të plotë, është e qetë, nuk ka prapavijë partiake dhe nuk ka asnjë arsye për dramatizim.
Kërkojmë nga institucionet e shtetit të Maqedonisë së Veriut të ruajnë profesionalizmin dhe të mos e politizojnë të drejtën kushtetuese të protestës.
Liria e shprehjes dhe e tubimit është e garantuar, dhe ne do ta ushtrojmë atë me përgjegjësi dhe dinjitet.