Osmani takon presidentin e Emirateve: Kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka takuar presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Ajo ka bërë me dije se homologun e saj e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të presidentit Mohamed bin Zayed.
“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtësore me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot”, ka shkruar ajo, duke treguar për temat e diskutimit.
“Përgjatë viteve, kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e çmuara të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit. Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm. Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje. Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve”, ka shkruar Osmani.