Osmani takohet me Rohden, flasin për konstituimin e institucioneve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde.
Në qendër të bisedës ishin zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe procesi i formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Nga zyra e Presidencës është bërë e ditur se Osmani ka nënvizuar vendosmërinë e saj për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar funksionim të qëndrueshëm institucional dhe respektim të vullnetit qytetar.
“Presidentja ka riafirmuar se sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Në takim, Presidentja Osmani vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe partneritetin e palëkundur ndërmjet dy shteteve, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për ta thelluar këtë partneritet dhe për të mbështetur rrugëtimin euroatlantik të Kosovës”, shkruhet në njoftim.