Osmani: Nuk kam kërkuar asnjë pozitë, lë të hapur mënyrën e kandidimit
Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk ka kërkuar që të përfshihet me katër emra në top 10 të listës së Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke shmangur një përgjigje konkrete për mënyrën e kandidimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.
E pyetur nëse do të kandidojë për presidente apo deputete, ajo tha se vendimi do të bëhet i ditur në kohën e duhur, duke theksuar se mbështetjen kryesore e merr nga qytetarët.
“Nuk është mirë me spekulu. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush”, tha Osmani.
“Kurdo që kemi diçka për t’ju thënë do t’ju themi”, shtoi ajo, transmeton EkonomiaOnline..
Osmani bëri të ditur se do të vazhdojë angazhimin në terren me qytetarët, duke përmendur edhe paraqitjet e përbashkëta.
“Me Farije Hotin bashkë te qytetarët”, tha ajo.
E pyetur për kundërshtimet ndaj rikthimit të saj në politikë, ajo theksoi se fokusi i saj mbetet tek qytetarët.
“Do të jem para qytetarëve, deri sot në të gjithë angazhimin tim politik janë ata që ma kanë dhënë forcën dhe edhe tash e tutje do të jetë njësoj”, tha ajo.