Osmani në darkë pune me komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në vend
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbrëmë është takuar në një darkë pune me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Anrico Barduani.
Presidenca përmes një komunikate për media, ka njoftuar se në takim është fiskutuar për çështje të sigurisë në vend.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet, ndërsa rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit.
Në këtë linjë, Presidentja Osmani vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me partnerë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n.” – thuhet në njoftim.
Tutje, presidenca ka bërë me dije se Osmani shprehur mirënjohje për KFOR-in:
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë. Presidentja ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023”.