Osmani: Marrëveshjen për Bordin e Paqes do ta dërgojë në Kuvend për ratifikim
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se sot ka nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese.
Pas nënshkrimit, ajo ka treguar se këtë marrëveshje do të dërgojë në Kuvendin për miratim.
Në profilin e saj në “Facebook”, Osmani ka shkruar se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes fuqizon sovranitetin e Kosovës.
“Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit. Faleminderit Presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik. Kosova do të jetë në shërbim te paqes, sot e përherë!”, ka shkruar ajo.