Osmani: Kosova në NATO do t'i kontribuojë paqes e stabilitetit në rajon dhe Evropë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në cermoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, ku me ç’rast gjeneralmajori i Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajari ia ka dorëzuar komandën gjeneralmajorit të ushtrisë italiane, Angelo Michele Ristuccia.
Osmani gjatë kësaj ceremoni ka falënderuar mijëra gra e burra nga shtetet anëtare dhe partnere të NATO-s, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe paqen në Kosovë prej 23 vjetësh.
“Ndërkohë që KFOR-i e ka reduktuar praninë e tij, Kosova ka forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe njëkohësisht po vazhdon partneritetin dhe koordinimin me forcat paqeruajtëse. Në vitin 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin që po kryhej kundër popullit të Kosovës. 23 vjet më pas, ushtria jonë po shërben përkrah ushtrisë amerikane dhe vendeve të tjera partnere dhe po kontribuon në misionet paqeruajtëse në mbarë botën”, ka shkruar Osmani.
Tutje ajo ka thënë se falë kontributit të NATO-s, Kosova sot është një vend paqësor dhe prosperues. Ajo ka përsëritur qëndrimin se është interes shtetëror i Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kolektive, vlerave demokratike, paqes e stabilitetit në vend, rajon dhe në nivel global.
