Osmani 'ia bën qefin' Erdoganit, i referohet Turqisë si Türkiye gjatë intervistës në anglisht
Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë relativisht të shkurt, veç 13 minuta e 12 sekonda, për televizionin publik të Turqisë TRT.
Në formatin anglisht të trnasmetuesit publik turk, TRT World, zonja Osmani ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, dhe mes saj e presidentit turk Rexhep Erdogan.
Ajo ka vlerësuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera.
“(Marrëdhënia me Erdoganin) Do të thoja se janë të shkëlqyera. Të dyja, edhe marrëdhënia mes Kosovës dhe Turqisë, dhe marrëdhënia ime dhe bashkëpunimi im me Presidentin Erdogan janë në nivelin më të lartë. Dhe dëshiroj të falëndëroj Turqinë dhe Presidentin për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë vendit tonë”, theksoi Osmani.
Ajo që ra në sy gjatë intervistës në gjuhën angleze ishte referimi që zonja Osmani i bëri Turqisë.
Shefja e shtetit përdori termin “Türkiye”, që është emri zyrtar në gjuhën turke i Turqisë, dhe jo emrin në anglisht e që është Turkey.
Kujtojmë që kohë më parë, shteti turk kërkoi zyrtarisht që Kombet e Bashkuara (OKB) dhe organizatat e tjera të ndryshojnë emrin e Turqisë në gjuhën angleze, nga Turkey në Türkiye.
Kujtojmë që zonja Osmani, sipas CV-së së saj, është turishfolëse, gjë e cila i ka ndihmuar asaj të theksoj mirë emrin e shtetit turk në turqishte.
Ndryshe, OKB tashmë zyrtarisht në takimet e Asamblesë së Përgjithshme, i referohet Turqisë si Türkiye.