Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, Osmani: Ka tendenca që heqja e tyre të kushtëzohet me çështje tjera - NACIONALE

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, Osmani: Ka tendenca që heqja e tyre të kushtëzohet me çështje tjera

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se ka tendenca që masat ndëshkuese të BE-së të përdoren ndaj Kosovës si kushtëzim për zbatimin e Asociacionit.

Në një konferencë për medie me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, ajo ka thënë se një veprim i tillë do të shkaktonte vetëm efekte negative.

Osmani ka bërë me dije se e ka kundërshtuar një gjë të tillë në takimet që ka pasur me zyrtarët e BE-së.

“Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja pse ato janë vendosur në fillim. E kam kundërshtuar një qasje të tillë edhe në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, sepse në fakt kjo logjikë sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje të dialogut do të ketë vetëm efekt negativ”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, deeskalimi ka ndodhur dhe masat tani duhet të hiqen.

“Ajo që kanë kërkuar nga Kosova, pra që e quanin deeskalim, tashmë ka ndodhur. Nëse dikush mendon që të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat do të duhet hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara”, është shprehur Osmani.

Lajme të ngjashme