Osmani dhe Abdixhiku prezantojnë “përforcimin e ri” të LDK-së - NACIONALE

Osmani dhe Abdixhiku prezantojnë “përforcimin e ri” të LDK-së

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, ka prezantuar aderimin e ri në LDK.

Ajo ka bërë me dije se Kreshnik Çollakun do të jetë pjesë e listës së LDK-së.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar për angazhimet e Çollakut.

“Një jetë e ndërtuar mes universitetit, diplomacisë dhe kauzës së Kosovës. Sot, bashkë me Lumirin, kemi kënaqësinë të prezantojmë Kreshnik Çollakun si pjesë të rrugëtimit tonë politik. Niku e ka lidhur angazhimin e tij me mbështetjen e Kosovës, demokracisë dhe orientimit euro-atlantik të shqiptarëve. Për më shumë se 20 vite si pedagog universitar, ai ka formuar breza studentësh me frymën e mendimit demokratik, përgjegjësisë publike dhe vizionit perëndimor. Në periudhat më të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Ëashington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.

“Si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ai ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtën e saj për pavarësi, sovranitet, integritet territorial dhe integrim euro-atlantik. Kreshnik Çollaku është gjithashtu një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi diktaturën komuniste dhe e lidhi fatin e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin. Mbi të gjitha, ai ka ruajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me Kosovën, me njerëzit dhe të ardhmen e saj. Sot, ai është edhe shtetas krenar i Republikës së Kosovës dhe si këshilltar i imi për politikë të jashtme në Presidencë ka dhënë një kontribut të vyer në hapjen e dyerve të Kosovës me botën e në veçanti në thellimin e raporteve me SHBA”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme