Organizata ndërkombëtare të mediave në takim me Kurtin: "Nuk na u zotua të dënojë sulmet ndaj gazetarëve" - NACIONALE

Organizata ndërkombëtare të mediave në takim me Kurtin: "Nuk na u zotua të dënojë sulmet ndaj gazetarëve"

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Rënia e lirisë së medias në Kosovë që nga viti 2023 kërkon ndërhyrje të menjëhershme politike, paralajmërojnë disa organizata ndërkombëtare partnere të Këshillit të Evropës

Pas vizitës dyditore në Prishtinë, delegacioni i këtyre organizatave konstatoi përkeqësim të standardeve mediatike.

Megjithëse ata konstatojnë se ekziston pluralizëm dhe pak dhunë fizike ndaj gazetarëve, zhvillimet e fundit lidhen me veprimet e partisë Vetëvendosje.

Ligji për KPM-në, i rrëzuar si antikushtetues, presioni ndaj Radio Televizionit të Kosovës dhe retorika denigruese ndaj gazetarëve përmenden si faktorë kryesorë.

Këto zhvillime kanë dëmtuar reputacionin e Kosovës si lider rajonal në lirinë e medias në procesin e integrimit evropian.

Ndërkohë, sipas tyre, sistemi i drejtësisë ka treguar përmirësime, me trajtim më efikas të rasteve dhe strategji të reja nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Sulmet fizike kanë rënë, por rastet e fyerjeve dhe sulmeve online ndaj gazetarëve, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, kanë arritur kulmin në 2025.

Delegacioni kritikoi përdorimin e narrativave që i paraqesin gazetarët si “agjentë të huaj”, duke thelluar klimën armiqësore.

Në takimin me Albin Kurtin, u kërkua distancim nga gjuha përçarëse, pa një zotim publik nga ai, thuhet në komunikatë.

"Gjatë një takimi me Kryeministrin, delegacioni i bëri thirrje drejtpërdrejt atij, ministrave të tij dhe zyrtarëve të partisë që të jepnin shembull për shoqërinë duke dënuar dhe duke u përmbajtur nga përdorimi i shpifjeve të papranueshme, veçanërisht gjuhës përçarëse kundër gazetarëve. Kryeministri nuk u zotua të dënonte publikisht sulme të tilla."

Sfidat strukturore, përfshirë ndikimin politik dhe mungesën e transparencës, vazhdojnë të dobësojnë gazetarinë hulumtuese.

Misioni kërkoi reforma ligjore në përputhje me standardet evropiane dhe paralajmëroi se besimi demokratik duhet rindërtuar urgjentisht.

Lajme të ngjashme