ORCA pretendon se zuri një plagjiator tjetër në UP, bëhet fjalë për kandidatin për rektor
Organizata ORCA ka thënë se “ka zbuluar që në tezën e doktoratës së Ilir Tolajt (kandidat për rektor) ka përbërje të theksuar të plagjiaturës nga një burim i vetëm”.
Sipas organizatës ku aktivist është Rron Gjinovci, disertacioni në fjalë i kishte shërbyer atij për të marrë gradën doktor i shkencave e për t’u punësuar më pas në Universitetin e Prishtinës.
“Deshi plagjiatori të bëhej rektor,” – shkruan organizata, si aluzion i një vjershe shkruar nga Rexhep Hoxha dhe titulluar “Lepuroshi”.
“ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshme për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorit dhe kandidatit për rektor dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetin dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit.” – shkruan kjo organizatë.

Duhet të kujtojmë se kjo organizatë përmes aktivistëve Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha pengoi një ligjëratë të profesorit Bujar Dugolli, që po ashtu konsiderohet plagjiator.