Opozita kundërshton formimin e grupit punues për themelimin e Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë
Opozita ka kundërshtuar pjesëmarrjen për krijimin e grupit punues në komisionin për Legjislacionin, projektiligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Hajdar Beqa nga PDK deklaroi se nuk do të marrin pjesë në këtë grup punues, pasi që raporti i Komisionit të Venecias për këtë gjë nuk ka qenë pozitiv në votimin e këtij projektligji.
“Ne si PDK duke i parë rekomandimet e Komisionit të Venecias mendojmë se ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën përveç qëllimit, nuk do të marrim pjesë në grupin punues. Kërkojmë të krijohet një konsensus me subjektet ta rikthejmë, ta bëjmë një ligj të zbatueshëm”, është shprehur Beqa.
Ndërsa nga LDK thanë se as ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këtij grupi punues.
“Sipas leximit tim Komisioni i Venecias nuk e aprovon këtë projektligj. Kam bindjen time se me formën se si e ka propozuar qeveria këtë projektligj është i papërmirësueshëm, duhet pos ta rishkruajnë nga fillimi”,ka thënë Driton Selmanaj.
Ngjashëm u deklaruan edhe nga AAk.
“Kërkoj që ky ligj të ridraftohet dhe të rishkruhet në mënyrë që të vjen në seancë për votim”,ka thënë Besnik Tahiri.