Operacioni policor “Delivery” vë në pranga 5 persona, 4 të dyshuar për drogë dhe 1 për krime kibernetike
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar një operacion të madh ant-drogë.
Sipas policisë së Kosovës, operacioni “Delivery” ka rezultuar në arrestimin e katër persona të dyshuar për drogë, ndërsa personi i pestë është i dyshuar për krime kibernetike.
Përmes një njoftimi për media, policia ka dhënë disa detaje rreth operacionit.
“Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në rajonin e Prishtinës, pas një pune intensive operative në terren dhe grumbullimit të informatave relevante lidhur me aktivitetet kriminale në fushën e narkotikëve, ka realizuar me sukses një operacion policor anti drogë të koduar me emrin “Delivery”. Hetimet fillimisht kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të cilët dyshoheshin për shpërndarje të substancave narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë në qytetin e Prishtinës”, është thënë në njoftim, duke dhënë detaje tjera.
“Me datën 25.03.2026, rreth orës 14:00, është zbatuar një plan taktik operacional, ku të dyshuarit janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë të tipit Golf 8 me targa vendore. Me të vërejtur prezencën e policisë, të njëjtit kanë tentuar të ikin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion. Gjatë ndjekjes, të dyshuarit kanë lëvizur në drejtim të Fushë-Kosovës, më pas drejt Podujevës, për t’u kthyer sërish në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë. Ndjekja ka përfunduar në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku njësitë policore kanë arritur t’i ndalojnë dhe t'i arrestojnë të dyshuarit”, është thënë në njoftim.