Operacion policor në rrugën Prishtinë–Prizren, arrestohet një i dyshuar për narkotikë - NACIONALE

Operacion policor në rrugën Prishtinë–Prizren, arrestohet një i dyshuar për narkotikë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës, përkatësisht njësitet kompetente të antidrogës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë realizuar një operacion policor në kuadër të luftimit të trafikimit të narkotikëve.

Sipas komunikatës së Policisë, aksioni është ndërmarrë pas pranimit të një informacioni në rrugë operative nga DHTN Ferizaj, lidhur me një dërgesë të dyshuar përmes postës. Në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe njësitet relevante policore, janë zhvilluar veprime të koordinuara hetimore dhe operative.

Gjatë zbatimit të planit taktik, rreth orës 12:20, në rrugën Prishtinë–Prizren, në Llapushnik, policia ka ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore. Gjatë kontrollit, është gjetur një pako që përmbante substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Në vendin e ngjarjes është arrestuar një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë.

Si prova materiale janë sekuestruar mbi një kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një telefon mobil.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive kriminale, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për garantimin e sigurisë publike dhe sundimit të ligjit.

Lajme të ngjashme