Operacion i Policisë: Arrestohen tre të dyshuar për trafikim me kokainë
Policia e Kosovës ka finalizuar një operacion antidrogë në Prishtinë, duke arrestuar tre persona dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme të kokainës.
Kjo është bërë e ditur me një komunikatë për media.
Fillimisht, është arrestuar i dyshuari A.A. (1983), të cilit iu gjetën 0.44 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë.
Hetimet më pas kanë çuar në kontrollin e një shtëpie ku policia ka sekuestruar rreth 56.9 gramë kokainë, para cash (në euro dhe valuta tjera), si dhe dëshmi të tjera që do të shfrytëzohen në procedurën gjyqësore.
Në një kontroll të dytë, policia ka gjetur edhe 10.8 gramë kokainë, dy peshore elektronike dhe nëntë fishekë.
Përveç A.A., policia ka arrestuar edhe K.A. (2000) dhe S.S. (1971), ndërkohë që një i dyshuar tjetër ndodhet në arrati.
Pas intervistimit, dy nga të arrestuarit, K.A. dhe S.S., janë dërguar në mbajtje me aktvendim të prokurorit.