OKB: Kosova do të humbasë 50% të popullsisë së saj deri në vitin 2100
Deri në fund të shekullit, Kosova do të ketë humbur gjysmën e popullsisë së saj, sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara për vitin 2022.
I njëjti burim parashikon të njëjtat rezultate për Letoninë, Kroacinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Lituaninë, Armeninë, Maqedoninë e Veriut dhe Poloninë. Këto shtete parashikohet të humbasin 40-50% të popullsisë së tyre gjatë këtyre viteve, shkruan N1.
John Kennedy Mosoti, një përfaqësues i Fondit të OKB-së për Popullsinë në Bosnje dhe Hercegovinë, i bëri të ditur këto statistika.
“Analiza e gjendjes së popullsisë konfirmoi se Bosnja dhe Hercegovina është një vend me shkallën më të ulët të lindjeve në botë (1.25), me nivel të lartë migrimi dhe plakjeje të popullsisë, si dhe me pabarazi gjinore të rrënjosur thellë. Deri në vitin 2070, tendenca të tilla demografike dhe pabarazi do të çojnë në një reduktim të popullsisë së përgjithshme me më shumë se 50 për qind, ndërsa struktura demografike do të anohet drejt një popullsie më të vjetër”, ka thënë Mosoti.
Ai theksoi se “sektorë të rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik të vendit, si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, do të jenë në rrezik kolapsi, ndërsa tregu i punës do të vuajë mungesën e punëtorëve dhe specialistëve të trajnuar”.