Ofrimi i dorëzanisë, Mujku: Thaçi synon të mos e presë në paraburgim epilogun e rastit të dytë
Ish-presidenti Hashim Thaçi synon që, në rast se shpallet i pafajshëm në procesin kryesor ndaj tij, të mos vazhdojë të mbahet në paraburgim deri në përfundimin e rastit të dytë, që lidhet me akuzat për tentim-pengim të drejtësisë.
Sipas gazetares Rina Mujku, përmes ofrimit të 50 mijë eurove si garanci financiare, në kuadër të kërkesës për lirim të përkohshëm në procesin ku akuzohet për tentim të pengimit të administrimit të drejtësisë, Thaçi synon që, nëse shpallet i pafajshëm në ditën kur mbush 2.141 ditë në paraburgim, të mos detyrohet ta presë në paraburgim përfundimin e procesit të dytë.
Mujku ka shtuar se mbrojtja e Thaçit i ka rikujtuar gjyqtarit të rastit të dytë se arsyetimi lidhur me mundësinë e arratisjes ishte rrëzuar më herët nga kryegjyqtari i rastit kryesor, Charles Smith.