Ofendoi gazetarët – pezullohet oficerja e policisë
Policia e Shteit të Shqipërisë ka njoftuar se ka pezulluar menjëherë nga puna oficeren e Policisë, nënkomisaren Anisa Kostani dhe se ka nisur hetimet ndaj saj.
“Reagim i Policisë së Shtetit
Me keqardhje ndoqëm reagimin aspak etik dhe profesional të një oficereje të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka fyer gazetarët, me pretendimin se gazetarët po përbaltin punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Përsa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra oficeren e Policisë, Nënkomisare Anisa Kostani dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj kësaj oficereje, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750 datë 16.09.2015, konkretisht të nenit 209, pika 1 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”. Thuhet ndër tjera në reagimin e Policisë së Shtetit.