O’Brien për ndalimin e dinarit nga Qeveria Kurti: Paaftësi për të qeverisur, la qytetarët të hutuar
Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për çështjen e dinarit serb.
O’Brien për Zërin e Amerikës, tha se ky vendim po tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj.
Diplomati amerikan përmendi dyherë termet paftësi për ta përshkruar qeverisjen e Kurtit, teksa shtoi e me këtë vendim ka dëmtuar procesin e integrimit të serbëve.
“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, ka thënë O’Brien.