Nuk ka këndellje për Juven, e pëson edhe nga Monza - NACIONALE

Nuk ka këndellje për Juven, e pëson edhe nga Monza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Juventusi është futur në një periudhë të errët këtë sezon, derisa është në rënie të lirë aktualisht - si për ta nënvizuar erdhi një disfatë tjetër sot kundër Monzas.

Në përballjen e cila u zhvillua në kuadër të javës së shtatë në Serie A, "Zonja e Vjetër" doli sërish mangët, derisa pësoi humbje me rezultat 1-0.

Në fakt, rezultati pozitiv për biankonerët dukej gati i paarritshëm, sidomos pas minutës së 40.

Kjo për shkak se mysafirët (Juve) mbetën me dhjetë lojtarë në fushë, pas një ndërhyrjeje të pakontrolluar të Angel Di Marias.



Anësori argjentinas humbi kokën në një moment frustrimi dhe, në duel për top dhe nën presionin e kundërshtarit, e goditi atë me bërryl në brinj, duke mos i lënë zgjedhje tjetër gjyqtarit veç të kuqit.

Gjërat u ndërlikuan nga ai moment për mysafirët.

Në pjesën e dytë, Monza u hodh në sulm duke rrezikuar vazhdimisht portën e kundërshtarit që tash kishte disavantazh numerik.

Carlos Augusto, Nicolo Rovella dhe Gianluca Caprari rrezikuan në pesë minutat e parë pas fillimit të pjesës së dytë, por pa sukses. Juve po mbahej.

Në minutën e 54-t, Monza, qartazi duke e ditur se mund të nxjerr më shumë nga ndeshja, kreu tri zëvendësime përnjëherë.

Golin e shumë pritur Monza e arriti në minutën e 74-t të ndeshjes, kur Gytkjaer realizoi pas asitimit të Ciurria.

Ishte goli vendimtar që ia siguroi pikët e plota nikoqirëve.

Pas shatë shtatë xhirove, Juventusi zë pozitën e tetë në tabelë me dhjetë pikë, ndërsa Monza - pavarësisht fitores - mbetet në zonën e rrezikshme, edhe pse është ngritur nga pozita e fundit, me katër pikë.

Lajme të ngjashme