Kosovarët mezi e përballuan çmimin e energjisë, Rizvanolli thotë se nuk do të ndryshonte asgjë - NACIONALE

Kosovarët mezi e përballuan çmimin e energjisë, Rizvanolli thotë se nuk do të ndryshonte asgjë

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli po intervistohet para Komisionit hetimor për krizën energjetike.

Rizvanolli para deputetëve që janë anëtarë në këtë komision, ka deklaruar se kriza energjetike po vazhdon ende.

Pikërisht për këtë çështje, ajo u pyet nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili ia rikujtoi asaj deklaratën që e kishte thënë dikur, se “nuk do të ketë krizë energjetike”.

“Sa keni ndikuar që të mos vijmë deri te kriza energjetike që i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës shumë dhe qytetarëve të Kosovës. A e ndjeni vetën përgjegjëse në këtë drejtim që keni bërë neglizhencë mjaftë të madhe. Me kohë ne ju kemi informuar që do të vijmë në një kohë, në një krizë energjetike, dhe përgjigja juaj ishte “nuk do të ketë”. Sa më kujtohet, në komision keni thënë se nuk do të ketë krizë energjetike dhe se keni marrë të gjitha masat”, ka thënë Lekaj në këtë komision.

Sidoqoftë, ministrja Rizvanolli, pavarësisht se qytetarët e Kosovës me shumë vështirësi e përballuan krizën energjetike dhe rritjen e çmimit të energjisë, tha se nuk do të vepronte ndryshe edhe po të kthehej pas në kohë.

“Unë për atë se sa kemi bërë mund të them që kemi bërë gjithçka që ka qenë e mundur të bëhet, dhe sikur të ktheheshim edhe një herë në vitin e kaluar, asnjë gjë nuk do ta bëja ndryshe. Sigurisht, thjeshtë mundësia e një shteti, cilitdo shtet, në një stituatë të tillë është shumë e kufizuar. Nuk ka ndonjë shtet në botë që ka mbetur i paprekur, që e ka kaluar krizën mirë, thjeshtë ka qenë një situatë e tillë ku kërkesa e ka tejklauar oferrtën, çmimet kanë qenë të larta, dikush më mirë, dikush më keq e ka kaluar krizën. Në rastin e Kosovës, kapacitetet i kemi të tilla që kemi nevojë për import. Kjo do të thotë që ka qenë e pashmangshme që mos të jemi të prekur”, ka thënë ajo.

Në muajin shkurt të vitit 2022, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur për rritjen e tarifave të rrymës.

Sipas këtij vendimi, të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë në muaj, do ta paguanin më shtrenjtë energjinë elektrike.

Një vendim i tillë, ishte pezulluar fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e më pas edhe nga Gjykata e Apelit./Nacionale.com/