“Nuk do të ketë qeveri tjetër Kurti pas zgjedhjeve të reja”: Tahiri i reagon 'kërcënimit' të Kurtit për “zhdukje të opozitës”
Deklarimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në rastin e shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare “opozita zhduket”, i ka reaguar Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili tha se e kundërta është e vërtetë, që “kurdo që të mbahen zgjedhjet – ai nuk do të ketë mundësi të krijojë një qeveri të dytë. Nuk do t’i ketë as numrat as mandatin”.
“Mendoj që favori dhe shërbimi më i madh që do t’ia bëjë sot kryeministri Kurti është që të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Vet fakti që atij në mendje sot i shkon opozita, kjo tregon se ai frikën e ka pikërisht nga kjo opozitë dhe një gjë e ka të sigurt, se kjo qeveri në mandatin e ardhshëm, nuk do të ketë mundësi të krijojë një qeveri të dytë”, tha Tahiri.