Nora Gjakova një fitore larg medaljes së bronztë në Azerbajxhan
Nora Gjakova është një fitore larg fitimit të medaljes së bronztë në Grand Slamin Baku 2022 në Azerbajxhan, pasi e mundi italianen Veronica Toniolo në ndeshjen e parë të repechage.
Kampionia olimpike e Kosovës do të luftojë kundër belges Mina Liber për medaljen e bronztë në kategorinë -57 kilogramë, raporton Nacionale.
Paraprakisht, Gjakova e kishte kaluar rrethin e parë pa luftë dhe pastaj e kishte mposhtur Seija Ballhausin në rrethin e dytë, para se të mposhtej në çerekfinale nga britanikja Lele Nairne, duke e humbur mundësinë të luftojë për medaljen e artë.
Fitorja kundër Toniolos në ndeshjen e parë repechage bën që ajo të luftojë tani për medaljen e tretë më të mirë në këtë turne.
Në Grand Slamin e kaluar në Abu Dhabi, i cili ishte i pari për të në 11 muaj pas rikthimit nga lëndimi, Gjakova e fitoi medaljen e argjendtë.