Njësia A-3 planifikohet për ndalje 5 ditore - a do të ketë reduktime?
Njësia A3 e Termocentralit Kosova A po përballet me probleme teknike, kësisoj sonte pas mesnatës pritet të nxirret nga funksioni edhe blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Korporata Energjetike e Kosovës, e cila njoftoi se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore.
"Korporata Energjetike e Kosovës njofton se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore. Lidhur me këtë, KEK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike" - thuhet në njoftim.
Si rezultat i rënies së blloqeve në muajin gusht, qytetarët e Kosovës u përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.
Ndonëse po raportohet për rikthim të reduktimeve pas rënies nga funksioni të këtij blloku, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i ka thënë Nacionales se nesër nuk do të ketë reduktime me energji elektrike.