Njëri nga Gjermania, tjetri nga Franca: Ekstradohen dy të dyshuar në Kosovë
Dy persona, njëri 35 e tjetri 34 vjeç, janë ekstraduar gjatë së martës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, që të dy, njëri në Gjermani e tjetri në Francë, kishin ikur nga autoritetet kosovare.
Ata dyshohet se ishin përfshirë në vepra penale të ndara.
Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datë 23.12.2025 ka bërë ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, L.V. 1990 dhe A.M. 1991, njëri i ekstraduar nga Gjermania, ndërsa tjetri nga Franca për në Kosovë. Ky ekstradim u bë falë bashkëpunimit me këto dy shtete.
Të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritete gjermane, përkatësisht ato franceze, pasi të njëjtët kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës, pasi të njëjtët dyshohet se ishin përfshirë në vepra penale të ndara dhe se të njëjtit i ishin shmangur drejtësisë.
Të dyshuarit pas ekstradimit u janë dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në rajonin e Prishtinës, përkatësisht Gjilanit për vazhdim me procedurat e tjera ligjore.