Një vit nga Marrëveshja Bazike, Bislimi: 5 herë i ofruam Serbisë nënshkrimin, refuzoi - NACIONALE

Një vit nga Marrëveshja Bazike, Bislimi: 5 herë i ofruam Serbisë nënshkrimin, refuzoi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në një vjetorin e arritjes së Marrëveshjes Bazike, ka thënë se Serbia po refuzon ende ta nënshkruajë të njëjtën, si dhe ta zbatojë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Bislimi ka thënë se Serbia ka shkelur tetë nene të marrëveshjes si dhe preambulën.

Tutje, ai ka shtuar se nga Kosova, është ofruar pesë herë nënshkrimi i marrëveshjes.

“Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor.” – ka shkruar tutje ai.

Sipas Bislimit, Serbia ka dëshmuar që po e pengon avancimin drejt normalizimit të marrëdhëieve me Kosovën.

“Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit.” – është shprehur ai në fund.

Lajme të ngjashme