Një spital në Holandë konfirmon një pacient të infektuar me hantavirus, besohet se ishte pasagjer në anije - NACIONALE

Një spital në Holandë konfirmon një pacient të infektuar me hantavirus, besohet se ishte pasagjer në anije

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Një pacient në një spital të Holandës ka dalë pozitiv në testin për hantavirus.

Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e vet, Qendra Mjekësore Universitare e Leiden-it tha se individi “ka dhënë leje për shpërndarjen e kësaj informate”.

Spitali nuk e identifikoi pacientin, raporton televizioni BBC.

Më herët, televizioni publik britanik raportoi se në atë spital besohet se është duke u trajtuar britaniku 56-vjeçar, Martin Anstee, i cili dje u evakuua nga anija “MV Hondius”. Anstee i ka thënë BBC-së se është në gjendje të mirë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë të enjten tha se nuk bëhet fjalë për një pandemi si ajo e koronavirusit, sepse hantaviruset përhapen “shumë, shumë më ndryshe” dhe përmes kontaktit të zgjatur.

Duke e marrë parasysh periudhën e inkubimit, që mund të zgjatë deri në gjashtë javë, mund të raportohen raste të reja, përpos tetë rasteve të dyshimta, pesë prej të cilave tashmë janë konfirmuar.

Megjithatë, drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së tha se rreziku ndaj shëndetit publik është i ulët dhe kjo vlen edhe për Ishujt Kanari, ku pritet të ankorohet anija me të cilën po lundronin të infektuarit.

Lajme të ngjashme