Një parti serbe në Kosovë i drejtohet Lajçakut me ankesa për disa “shpronësime në veri” nga Qeveria e Kosovës
Një parti serbe në Kosovë e formuar kohëve të fundit me emrin “Lëvizja popullore serbe” dhe e përfaqësuar nga dy persona të quajtur Branimir Stojanoviq dhe Millija Bishevaq, i janë drejtuar me letër Përfaqëusesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi me ankesa dhe pretendime se autoritetet shtetërore kosovare “po uzurpojnë prona të qytetarëve dhe prona të Kishës Ortodokse Serbe”. Në atë letër, këta dy përfaqësues politik, kritikojnë edhe vetë Bashkimin Evropian për, siç shkruajnë ata, “vëzhgim pasiv”.
Kjo parti i kërkon BE-së që “të ndalojnë procesin e uzurpimit të pronës private dhe shoqërore dhe atë të Kishës Ortodokse Serbe nën pretekstin e shpronësimit dhe privatizimit” deri në një vendim tjetër, dhe kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet brenda një kornize dialogu me një “grup punues të pavarur”, siç i citoi “KoSSeV”.
Kujtojmë se rreth 80 hektarë tokë në zonat kadastrale Dren dhe Leshak në Leposaviq me vendim qeveritar në janar ishin shtetëzuar dhe planifikohej që në ato zona të ndërtohej një stacion i policisë kufitare – punime të cilat ishin ndaluar pas kundërshtimeve nga Bashkimi Evropian dhe edhe vetë Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.