Një ditë pas Procesit të Berlinit, Scholz-i shkon në Kinë, Xi kërkon rritje të bashkëpunimit
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e përmendi nevojën për bashkëpunim më të madh mes vendit të tij dhe Gjermanisë në “kohërat e ndryshimit dhe trazirave” në takimin e tij të parë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Në bisedën mes dy udhëheqësve të dy prej ekonomive më të fuqishme në botë pritet të diskutohet edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e lidhjeve ekonomike, raporton gazeta “The Guardian”.
Vizita e kancelarit gjerman është e para nga një udhëheqës i një vendi të Grupit G7 në Kinë në tri vitet e fundit dhe do t’i testojë raportet mes Pekinit dhe Perëndimit pas viteve me rritje tensionesh, thonë analistët.
Gjatë takimit të tyre të parë sy më sy që nga ardhja e Scholz-it në krye të qeverisë gjermane, presidenti kinez tha se si dy kombe të mëdha me ndikim, Kina dhe Gjermania duhet të punojnë edhe më shumë bashkë gjatë “kohërave të ndryshimit dhe trazirave” për hir të paqes botërore, sipas televizionit shtetëror kinez, CCTV.
Në anën tjetër, kancelari Scholz tha se është mirë që të dy udhëheqësit po takohen sy më sy gjatë kohërave të tensionuara, kur pushtimi i Ukrainës nga Rusia po krijon probleme për rendin global të bazuar në rregulla.
Ai gjithashtu tha se do të diskutojë me presidentin kinez për raportet Evropë – Kinë, ndryshimet klimatike, urinë globale, se si të zhvillohen marrëdhëniet ekonomike mes Kinës e Gjermanisë si dhe për temat për të cilat pikëpamja e të dyja vendeve është e ndryshme.