Një delegacion i Prokurorisë së Kosovës në vizitë zyrtare në Washington
Përfaqësues të lartë të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës kanë nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, dhe prokurori special, Naim Abazi, po qëndrojnë në Washington me ftesë të institucioneve amerikane.
Gjatë vizitës, delegacioni nga Kosova do të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, ku marrin pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë nga vende të ndryshme të botës.
Po ashtu, zyrtarët kosovarë do të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve amerikane, ku pritet të diskutohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit profesional, ndërtimin e partneriteteve ndërshtetërore dhe forcimin e sundimit të ligjit. Vizita synon rritjen e efikasitetit të institucioneve prokuroriale dhe avancimin e standardeve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.