Një aeroplan F-16 i ShBA-së rrëzohet afër Koresë Jugore, rasti i tretë brenda tetë muajve
Një aeroplan luftarak i tipit F-16 i Forcës Ajrore të ShBA-së u përplas pas një urgjence afër bregdetit të Koresë Jugore të mërkurën. Ky është rrëzimi i tretë i aeroplanëve luftarakë amerikanë të vendosur në shtetin e largët aziatik brenda më pak se një viti.
Incidenti ndodhi gjatë një misioni trajnues mbi ujërat në perëndim të Gadishullit Korean rreth orës 8 e 41 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale, thuhet në një deklaratë të Bazës Ajrore “Kunsan”, rreth 180 kilometra në jug të kryeqytetit Seul, raporton televizioni CNN.
Piloti i aeroplanit doli në mënyrë të sigurt dhe u nxor nga uji rreth 50 minuta pas rrëzimit të aeroplanit, thuhet në një deklaratë të Forcës Ajrore. Baza ushtarake tha se piloti ishte me vetëdije dhe u dërgua në një qendër mjekësore për t’ia vlerësuar gjendjen.
Baza ushtarake tha se shkaktari i urgjencës gjatë fluturimit është duke u hetuar.
Rrëzimi i së mërkurës ishte i treti i aeroplanëve F-16 me bazë në Kore Jugore për më pak se një vit, edhe pse nuk ka shenja se rastet janë të ndërlidhura.
Në dhjetor, një aeroplan F-16 nga baza “Kunsan” u rrëzua afër bregdetit perëndim të Gadishullit Korean gjatë trajnimit. Piloti kishte dalë nga aeroplani dhe ishte shpëtuar nga forcat detare të Koresë Jugore.
Në maj të vitit 2023, një aeroplan i llojit të njëjtë ishte përplasur në një zonë bujqësore afër Bazës Ajrore “Osan”, në jug të Seulit, gjithashtu gjatë trajnimit. Piloti i këtij aeroplani gjithashtu kishte arritur që të dilte në mënyrë të sigurt dhe rasti ishte dërguar për hetim.