Nitaj i AAK-së për sulmin që Kurti i bëri gazetares së Nacionales: S'ka pyetje të keqe, ka përgjigje të keqe
Muharrem Nitaj nga AAK ka reaguar për pezullimin e licencës së Klan Kosovës dhe njëherësh edhe për reagimin e kryeministrit Kurti ndaj gazetares së Nacionales, Besarta Hoti.
Nitaj për rastin me Klan Kosovën ka thënë se nuk ka lajm më të keq, duke shtuar se sipas tij kur e fillon luftën me media, kjo do të thotë se ke një problem serioz.
‘’Kur e fillon luftën me media, kjo dmth se e ke një problem serioz. Lajmi se i hiqet licenca një televizioni, ndër më të mirët në vend, është lajm i keq. S’ka më të keq hiç’’- tha Nitaj në rrjetin social ‘’Facebook’’.
Sa i përket reagimit të Kurtit ndaj gazetares së Nacionales, Nitaj tha se përpjekja për t’i poshtërurar gazetarët kur bëjnë pyetje super profesionale, tregon se sa i acaruar është Kurti me ato media që ‘’ nuk i bien violinës së tij’’.
‘’Ose përpjekja për t’i poshtëruar gazetarët kur ata bëjnë pyetje super profesionale, siç ishte rasti me gazetaren e Nacionalës, tregon sa i acaruar je me ato media që nuk i bien violinës sate. Mënyra e formulimit të pyetjeve, edhe mund t’i turbullojë përgjigjet, por jo deri në atë masë sa të harrosh se zemërimi dhe mllefi, janë e zeza e të zotit’’- shtoi Nitaj.
Nitaj ndër të tjera i drejtohet Kurtit duke i thënë së nuk ka pyetje të keqe, por ka përgjegjje të keqe, siç ishte përgjigjja e Kurtit ndaj gazetares “mos m’hajdeni këtu me pyetje të Serbisë”.
‘’Kjo dmth se nuk e ke kuptuar se nuk ka pyetje të keqe, por ka përgjigje të keqe, siç ishte përgjigja “mos m’hajdeni këtu me pyetje të Serbisë”! Arabët thonë, nese hesht e ke humbur të drejtën për të jetuar!’’- tha ndër të tjera Nitaj.