Nisin hetimet pas sulmit me koktej molotovi në një shtëpi në veri të Mitrovicës
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet pas zjarrvënies së një shtëpie në veri të Mitrovicës, ku u përdor koktej molotovi.
Kjo është bërë me dije nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
“Rasti është kualifikuar si “Zjarrëvenie” dhe janë duke u ndërmarrë veprime në bashkëpunim me policinë për të siguruar prova dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.” – ka thënë ai për Telegrafin.
Ndryshe, më herët ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se një shtëpie të ndërtuar nga Qeveria në veri, i është vënë zjarri.
“Rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve. Zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar. Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dameve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja.” – ka thënë ai.