Nisin bisedimet ShBA – Ukrainë në Arabinë Saudite
Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë i filluan bisedimet të martën në Arabinë Saudite për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës me Rusinë, disa orë pasi forcat ukrainase e kryen sulmin më të madh me dronë deri më tani ndaj Moskës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shpreson që bisedimet në Jeddah do t’i ringjallin lidhjet “pragmatike” me Shtetet e Bashkuara pas takimit të tij katastrofal me homologun Donald Trump muajin e kaluar. Ai ka propozuar një armëpushim fillestar me Rusinë në ajër dhe në det, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Qëllimi i këtij propozimi është që të dëshmohet se Zelensky po punon drejt synimit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës shpejt, pasi presidenti amerikan e akuzoi homologun ukrainas se nuk është i gatshëm për paqe dhe i bëri presion për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë.
“Ne shpresojmë për rezultate praktike. Pozicioni i Ukrainës në këto bisedime do të jetë plotësisht konstruktiv” – shkroi Zelensky në rrjetin X të hënën vonë.
Gjatë natës së kaluar, Ukraina e kreu sulmin më të madh me dronë deri më tani ndaj Moskës, duke dislokuar të paktën 91 dronë, duke vrarë të paktën një person e duke shkaktuar zjarre e mbyllje aeroportesh, thanë zyrtarët rusë.