Ngrohja globale: Gjenden për herë të parë mushkonja në Islandë - NACIONALE

Ngrohja globale: Gjenden për herë të parë mushkonja në Islandë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Mushkonja janë gjetur për herë të parë në Islandë, në kohën kur ngrohja globale po e bën shtetin ishullor më të përshtatshëm për jetën e insekteve.

Islanda deri këtë muaj ishte ndër vendet e pakta në botë ku nuk kishte popullsi mushkonjash. Vendi tjetër është Antarktiku, raporton gazeta “The Guardian”.

Shkencëtarët qe një kohë kishin parashikuar se mushkonjat mund ta gjenin veten në Islandë, pasi atje ka shumë habitate për shumim si kënetat dhe pellgjet. Sidoqoftë, shumë lloje të mushkonjave nuk do të mund t’i mbijetojnë klimës së ashpër.

Megjithatë, Islanda është duke u ngrohur me ritëm katër herë më të shpejtë se pjesa tjetër e Hemisferës Veriore. Akullnajat kanë qenë duke u shkrirë dhe peshq të ujërave më të ngrohta e klimave më jugore janë gjetur në ujërat islandeze.

Përderisa planeti po ngrohet, më shumë lloje mushkonjash janë gjetur në mbarë globin. Në Britani, vezë të mushkonjës egjiptiane u gjetën këtë vit, ndërsa mushkonja tigër aziatike është zbuluar në Kent. Këto specie mund të përhapin sëmundje tropikale si virusi Zika.

Matthias Alfredsson, entomolog në Institutin e Shkencave Natyrore të Islandës, i konfirmoi të gjeturat atje. Ai i identifikoi vetë insektet që i ishin dërguar nga një shkencëtar.

Lajme të ngjashme