Ngjarjet në Banjskë “nuk i ndihmuan as Serbisë as serbëve të Kosovës”, thotë Christopher Hill
Beogradi duhet të kryejë “hetim serioz” rreth ngjarjeve në Banjskë të Zveçanit, ka thënë ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë në Euronews (shërbimi në gjuhën serbe).
Për atë se çfarë ndodhi në Banjskë – kur një formacion paramilitar i udhëhequr nga kryekrimineli Milan Radojçiqi sulmoi Policinë e Kosovës – Hill shtron pyetjen se si dikush mund të mendojë se sulme të tilla mund të jenë në favor të Serbisë apo serbëve, teksa kërkon që autorët të vendoshen para drejtësisë.
“E pash deklaratën e Radojiçiqit dhe nuk e kuptoj se si dikush mund të mendoj se është mirë për Serbinë të përfshihet në aktivitete të tilla – neve na duhet të kuptojmë se çfarë ndodhi, kush ishte përfshirë, përgjegjësia duhet të gjendet dhe duhet të sigurohemi që nuk do të ndodh më – që një situatë kaq tragjike dhe e rrezikshme nuk do të ndodhë më”, ka thënë Hil.
Ambasadori amerikan në Beograd shprehet i prerë se ajo çfarë ndodhi “në asnjë mënyrë nuk i ndihmoi Serbisë ose serbëve të Kosovës”.