Ngacmimet seksuale në shkolla, reagon organizata “QIKA”: Dëshmi që mjediset shkollore janë armiqësore ndaj vajzave
Organizata “QIKA” ka reaguar në lidhje me raportime që janë bërë së fundmi në media në lidhje me ngacmimet seksuale brenda institucioneve arsimore.
Në reagimin e kësaj organizate thuhet se këto raportime janë dëshmi që mjediset shkollore dhe universitare janë armiqësore ndaj vajzave dhe grave.
“Ditëve të fundit jemi përballur me një valë të raportimeve për ngacmime seksuale brenda institucioneve arsimore të të gjitha niveleve. Rastet e publikuara në media, e disa edhe të raportuara në Policinë e Kosovës, janë dëshmi që mjediset shkollore dhe universitare janë armiqësore ndaj vajzave dhe grave.” – thuhet në reagim.
Ndër të tjera organizata “QIKA” ka ftuar institucionet që të trajtojnë me seriozitet të gjitha rastet e raportuara.
“QIKA fton institucionet e Kosovës të trajtojnë me seriozitet të gjitha rastet e raportuara, si dhe inkurajon të gjithë/a të prekurit/at nga format e ndryshme të dhunës të raportojnë në organet kompetente. Ne besojmë që hapësirat arsimore duhet të jenë sigurta për të gjithë, pa dallim.” – thuhet në reagim.