Netanyahu duket pranë fitores në zgjedhjet parlamentare të Izraelit
Ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, duket se po shkon drejt fitores në zgjedhje të mërkurën, kur janë numëruar 80 për qind të votave.
Votat janë duke u numëruar ende dhe rezultati nuk është përfundimtar, por nëse shenjat preliminare janë të sakta, Izraeli mund të udhëhiqet nga qeveria më djathtiste, raporton agjencia “Associated Press”.
Rezultatet fillestare treguan vazhdim të lëvizjes së votuesve drejt të djathtës, duke e venitur edhe më tej shpresën për paqe me palestinezët dhe duke e përgatitur skenën për konflikt të mundshëm me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, e përkrahësit e Izraelit në Shtetet e Bashkuara.
Sipas rezultateve fillestare, Netanyahu i ka tejkaluar edhe kritikuesit e tij, të cilët kanë pretenduar se ai nuk është i përshtatshëm për ta udhëhequr vendin përderisa është në gjykim për korrupsion dhe të cilët kanë refuzuar që të hyjnë në koalicion me të.
Në anën tjetër, partnerët e Netanyahut i kanë premtuar ndihmë për ta shmangur dënimin nga gjykata.
“Jemi buzë një fitoreje shumë të madhe. Unë do të themeloj një qeveri nacionaliste që do t’i shohë të gjithë qytetarët izraelitë, pa asnjë dallim”, tha politikani 73-vjeçar para përkrahësve të tij në një tubim në Jerusalem.