Nënshkruhet protokolli për kontrollin e përbashkët kufitar Kosovë-Shqipëri - NACIONALE

Nënshkruhet protokolli për kontrollin e përbashkët kufitar Kosovë-Shqipëri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla dhe homologu i tij shqiptar Taulant Balla nënshkruan sot në Qafë Morinë një marrëveshje për kontrollin e përbashkët kufitar.

Kjo marrëveshje synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet për banorët në të dy anët e kufirit, veçanërisht në rajonet përreth pikave kyçe të kalimit: Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec-Krushevë, Borje-Glloboçicë dhe Orgjost-Orçush.

Ministri Sveçla theksoi se marrëveshja do të përmirësojë lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve.

“Ashtu siç kemi deklaruar qe një kohë po punojmë intensivisht që të dy komunitetet të përafrohen sa më shumë në kuptimin e lehtësirave të ndryshme duke sjellë realitetin që realisht këta nuk do ta ndiejnë fare kufirin… Unë them se ne nuk do të ndalemi që puna jonë të jetë sa më efektive dhe jeta e qytetarëve të të dyja shteteve të jetë sa më e lehtë”, tha Sveçla.

Duke diskutuar mbi protokollet operative, Sveçla vuri në dukje se automjetet me targa të Kosovës ose Shqipërisë do t'i nënshtrohen kontrolleve të regjistruara nga kamera pa u ndalur.

“Të gjitha veturat me targa të Republikës së Kosovës apo të Republikës së Shqipërisë nuk do të ndalen, ato do të regjistrohen nga kamerat. Në rast të dyshimit për ndonjë veturë apo udhëtarë, policia ka autorizimet dhe kapacitetet që të bëjë kontroll të dytë, por në realitet tash po mund të shoh se ka filluar zbatimi i protokollit të sapo nënshkruar dhe po shoh veturat me targat e të dyja vendeve duke qarkulluar pa u ndaluar fare”, ka thënë Sveçla.

Lajme të ngjashme