Nënpresidenti amerikan Vance arrin për vizitë 4-ditore në Indi
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, arriti të hënën në Indi për një vizitë 4-ditore, kur New Delhi po mundohet që t’u shmanget taksave amerikane, të negociojë një marrëveshje dypalëshe tregtare me Uashingtonin dhe t’i forcojë lidhjet me administratën e presidentit Donald Trump.
Në ditën e parë të vizitës kryesisht personale, Vance do të takohet me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi. Dy udhëheqësit pritet të zhvillojnë diskutime rreth lidhjeve dypalëshe të përvijuara në shkurt, kur Modi ishte takuar me Trumpin në Uashington, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
ShBA-ja është partnerja më e madhe tregtare e Indisë dhe dy vendet tani janë duke zhvilluar bisedime me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje tregtare këtë vit.
India dhe ShBA-ja kanë vënë cak ambicioz të rritjes për më shumë se dyfish të tregtisë dypalëshe, në 500 miliardë dollarë deri më 2030. Nëse arrihet, marrëveshja tregtare do të mund t’i fuqizonte në masë domethënëse lidhjet mes dy shteteve dhe potencialisht do t’i forconte edhe lidhjet tregtare.
Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Indisë tha se Modi e Vance pritet ta “rishikojnë progresin në marrëdhëniet dypalëshe” dhe “të shkëmbejnë pikëpamje rreth zhvillimeve rajonale dhe globale me interes të përbashkët”.