Nëna e Navalnyt ngre padi për ta kërkuar lirimin e trupit të të birit
Nëna e opozitarit rus, Alexei Navalny, ka paraqitur një padi në një gjykatë në qytetin verior rus, Salekhard, për ta kundërshtuar refuzimin e zyrtarëve që ta lirojnë trupin e pajetë të të birit, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Tass”.
Në raportim, ku citohen zyrtarë të gjykatës, thuhet se një seancë dëgjimore është caktuar për datën 4 mars, përcjell agjencia “Associated Press”.
Lyudmila Navalnaya është duke u përpjekur që ta tërheqë trupin e të birit nga e shtuna, pas vdekjes së tij në një burg në pjesën veriore të Rusisë të premten. Ajo nuk ka arritur që të marrë vesh se ku po mbahet trupi i tij, sipas ekipit të Navalnyt.
Zonja Navalnaya të martën i bëri apel presidentit rus, Vladimir Putin, që ta lëshojë trupin e të birit të saj në mënyrë që ajo ta varroste me dinjitet.
“Për ditën e pestë, nuk kam mundur ta shoh atë. Ata s’ma liruan trupin e tij dhe as nuk po më tregojnë se ku është” – tha Navalnaya, 69 vjeçe, në një video.
“Po të drejtohem ty, Vladimir Putin. Zgjidhja e kësaj çështjeje varet vetëm nga ti. Më lejo që përfundimisht ta shoh djalin tim. Unë kërkoj që trupi i Alexei-t të lirohet menjëherë, në mënyrë që unë të mund ta varros atë si qenie njerëzore” – shtoi ajo në videon e publikuar në rrjete sociale nga ekipi i Navalnyt.