Në ditën e debatit për rrymën, Luan Dalipi përmend edhe një herë vëllain: Sa më shumë kompani, aq më shumë konkurrencë - NACIONALE

Në ditën e debatit për rrymën, Luan Dalipi përmend edhe një herë vëllain: Sa më shumë kompani, aq më shumë konkurrencë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Luan Dalipi, shef i stafit të Albin Kurtit ka dalë me një shkrim në ditën e debatit për kolapsin energjetik, duke përmendur raportimet për kompaninë e vëllait të tij, e cila kishte aplikuar për licensë tregtie në energji.

Dalipi në një shkrim në Facebook, ka pretenduar se nuk ka skemë kriminale në tregun e energjisë.

“Unë jam deklaruar publikisht lidhur me aplikimin e vëllait tim për një licencë tregtie në treg të hapur të energjisë, dhe çdo proces ka qenë plotësisht ligjor, i hapur dhe i barabartë. Licencat nuk janë as me kuota, as me privilegje. E drejta për të aplikuar i takon çdo qytetari e kompanie që plotëson kriteret. Asnjë favor, asnjë ndikim.

Blerja dhe shitja e energjisë në treg të lirë nuk bëhet nga shteti, por mes kompanive private. Nuk ka as buxhet shtetëror, as ndërhyrje qeveritare në këto marrëdhënie tregtare.

Sa më shumë kompani, aq më shumë konkurrencë, dhe për rrjedhojë çmime më të ulëta për konsumatorin. Kjo është logjikë e pastër tregu, që përfiton qytetari, jo ndonjë ‘skemë e errët’” – ka thënë ai.

“Edhe njëherë për sqarim: kompania e vëllaut ka bërë vetëm një aplikim për licencë. Nuk ka blerë, nuk ka shitur as edhe një megavat, dhe s’ka asnjë lidhje me KEK-un.

Andaj, përpjekja e disa opinionistëve për të ndërtuar narrativa të errëta mafioze mbi një proces krejtësisht ligjor e transparent, nuk është as analizë, as hetim – është vetëm tentativë e ulët për të barazuar Qeverinë Kurti me të kaluarën.

Për fat të keq, në mungesë të aferave reale, disa janë bërë ‘detektivë të improvizuar’, që mbështeten te trillimi për të goditur një qeveri që, për dallim nga të mëparshmet, po e forcon demokracinë, rendin dhe ligjin, dhe po e çon Kosovën drejt zhvillimit të qëndrueshëm” – ka shtuar Dalipi.

Lajme të ngjashme