Ndryshimi i përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, IKD: Është haptazi në kundërshtim me ligjin
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se ndryshimi i përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës është i kundërligjshëm.
Përmes një reagimi, IKD ka bërë me dije se anëtarët aktualë kanë mandat deri në muajin dhjetor të këtij viti.
Sipas këtij instituti, Qeveria nuk ka bazë ligjore për ndërprerjen e tij.
“IKD vlerëson se ky vendim është haptazi në kundërshtim me ligjin. Anëtarët aktualë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës kanë mandat aktiv deri në dhjetor të këtij viti, mandat ky i përcaktuar me vendimet përkatëse, të cilat janë shfuqizuar nga Qeveria pa asnjë bazë ligjore. Ligji Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, në asnjë dispozitë të tij, nuk i jep autorizim Qeverisë që të ndryshojë përbërjen e këtij Komisioni gjatë kohëzgjatjes së mandatit të anëtarëve të tij. Për rrjedhojë, ndërprerja e mandatit në këtë mënyrë, mbi bazën e arsyetimeve të përgjithshme dhe abstrakte, paraqet veprim arbitrar, duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike”, është thënë në reagimin, duke dhënë detaje tjera.
“Mënyra se si tentohet të ndryshohet përbërja e këtij Komisioni krijon dyshime serioze për ndërhyrje në punën e tij. Këto dyshime shtohen edhe më tej kur kihet parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin, nuk ka shpallur afatet për dhënien e Provimit të Jurisprudencës që nga afati i prillit 2025. Në këto rrethana, ndryshimi i përbërjes së Komisionit nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra se si është administruar ky proces nga Ministria e Drejtësisë”, është thënë në reagim.