Ndërrimi i pushtetit në veri: Kryetari serb largon nga puna dy shqiptarë - NACIONALE

Ndërrimi i pushtetit në veri: Kryetari serb largon nga puna dy shqiptarë

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, tani asamblisti i vetëm shqiptar në këtë komunë, Ilir Peci, ngriti alarmin për nisjen e një fushate për largimin nga puna të zyrtarëve komunal shqiptarë.

Ai tha se jashtëligjshëm kryetari i ri, nga Lista Serbe, Dragisha Miloviq, nxori vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për dy zyrtarë.

“Me përvojën time dy vjet e gjysmë si kryetar komune, ka ndodhur shkelja, automatikisht ditën kur i bën gjashtë muaj, brenda tri dita nëse nuk i ndërprehet ajo marrëdhënie pune, automatikisht, ligjërisht ju vazhdon pa u vazhduar nga askush. Këtyre u ka ardhë njoftimi pas katër dite”, u shpreh Peci.

Teksa u shpreh i bindur se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës do t’i kthejë në punë dy zyrtarët e larguar, asamblisti Peci tha se ka indikacione për largimin nga puna edhe të punonjësve tjerë komunalë shqiptarë.

“Tash për momentin janë dy, mirëpo të njëjtin fat munden me e pritë edhe 10 ose 11 zyrtarë të tjerë të cilëve ende nuk u është dhënë akt-emërimi”, tha ai.

Vedat Musa, i cili deri ditë më parë ishte i punësuar si asistent administrativ në Drejtorinë e Kulturës, tha vendimi për largim është i jashtëligjshëm, teksa shtoi se ai kishte vlerësim pozitiv dhe se buxheti për pozitën e tij ekziston.

“Këta e dinë kush jam, prej çfarë familje vij, djali i kujt jam. Jam i bindur që këta këqyrin edhe në atë pjesë me u hakmarrë. Po, ka qenë luftëtarë dhe jam krenar. Të njëjtën punë e kisha bo edhe unë, si babai im. Por sot patriotizëm nuk është veç me kapë pushkën, por edhe me punu në komunë të Zveçanit, edhe Leposaviqit, se jemi në shtet tonin”, u shpreh Musa.

Pasditen e së premtes, TV Dukagjini ishte në komunën e Zveçanit dhe kërkoi përgjigje lidhur me këtë çështje, por drejtuesit e saj refuzuan të flasin për këtë temë.

Lajme të ngjashme